Granit Xhaka pranon se bleu vërtetim vaksinimi: “Ishte gabim, marr përgjegjësinë”

Granit Xhaka ka reaguar publikisht për hetimin që po zhvillohet ndaj tij në Zvicër lidhur me një certifikatë të vaksinimit kundër COVID-19.

Në një deklaratë të publikuar të hënën, kapiteni i Kombëtares së Zvicrës pranoi se gjatë pandemisë kishte pasur dyshime dhe shqetësime të mëdha lidhur me vaksinën. Xhaka tha se në atë gjendje pasigurie “kishte blerë një vërtetim vaksinimi”, në vend që pyetjet dhe shqetësimet e tij t’i trajtonte përmes rrugëve zyrtare. 

Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq”, thuhet në deklaratën e futbollistit.

Xhaka gjithashtu deklaroi se merr përgjegjësinë për vendimin e tij dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet që po e hetojnë rastin.

Çështja u bë publike të premten, kur Prokuroria e Kantonit të Luzernit konfirmoi se ndaj Xhakës është hapur procedurë për të sqaruar nëse ka pasur veprim të dënueshëm lidhur me një vërtetim të rremë ose falsifikim dokumentesh. Hetimi lidhet me një certifikatë vaksinimi të periudhës së pandemisë. 

Pas deklaratës së re, Xhaka nuk do t’i bashkohet grumbullimit të Kombëtares së Zvicrës për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve. Sipas SRF-së, ai dhe Federata Zvicerane e Futbollit kanë vendosur që ai të mungojë në këtë grumbullim, ndërsa situata do të rishikohet pas ndeshjeve. 

Rasti tashmë ka marrë një tjetër dimension, pasi Xhaka vetë ka pranuar se e ka “blerë një vërtetim vaksinimi”. Megjithatë, aspekti penal i çështjes mbetet në duart e autoriteteve zvicerane dhe hetimi duhet të përcaktojë pasojat juridike të veprimit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *