18-vjeçari nga Kosova dënohet me 9 vjet burg në Gjermani, tentoi të vriste mësuesen

Gjykata e Lartë Rajonale në Düsseldorf e shpalli fajtor për dy tentativa vrasjeje dhe lëndim të rëndë trupor.

Një 18-vjeçar nga Kosova është dënuar me nëntë vjet burgim në Gjermani, pasi u shpall fajtor për dy tentativa vrasjeje dhe lëndim të rëndë trupor.

Vendimi është dhënë më 22 shtator nga Gjykata e Lartë Rajonale në Düsseldorf. I riu kishte qenë 17 vjeç në kohën e sulmit. Sipas gjykatës, ai ishte radikalizuar përmes internetit dhe kishte zhvilluar qëndrime islamiste.

Ngjarja kishte ndodhur në Essen, ku i riu fillimisht kishte sulmuar një kujdestar shkolle. Më pas, ai kishte shkuar në një shkollë profesionale dhe kishte sulmuar me thikë mësuesen e tij, duke e plagosur rëndë në pjesën e kraharorit.

Pas sulmit, ai ishte drejtuar drejt Sinagogës së Vjetër në Essen. Sipas gjykatës, synimi i tij ishte të sulmonte persona hebrenj, por objekti ishte i mbyllur. Më pas, ai sulmoi një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur rëndë.

Policia e ndaloi më vonë në një park. Gjatë ndërhyrjes, një polic e qëlloi me armë pasi i riu kishte nxjerrë thikën.

18-vjeçari i ka pranuar veprat. Ai ka deklaruar se sulmi ndaj mësueses ishte nxitur nga pretendimi i tij se ajo kishte fyer Profetin Muhamed.

Gjykata urdhëroi që ai të vendoset në një institucion për trajtim social-terapeutik. Sipas mediave gjermane, nuk përjashtohet as mundësia e masave të mëtejshme të sigurisë pas përfundimit të dënimit.

Vendimi nuk është ende i formës së prerë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *