Vushtrriasi i dyshuar për vrasjen e 15-vjeçarit në Gjermani dorëzohet në polici

23-vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij 22-vjeçar janë paraqitur te autoritetet gjermane pas disa ditësh kërkimi.

Një 23-vjeçar nga Vushtrria, Albin Bejtullahu, dhe një 22-vjeçar, shtetas grek, janë dorëzuar në polici në Gjermani pasi ishin shpallur në kërkim në lidhje me një përleshje vdekjeprurëse në Marsberg.

Ngjarja ndodhi më 19 shtator, në zonën e Essenthos në Marsberg, pranë një feste private ditëlindjeje. Gjatë përleshjes, një 15-vjeçar nga Dortmundi u godit me thikë dhe vdiq në vendngjarje. Një 18-vjeçar tjetër u plagos rëndë dhe u dërgua në spital.

Dy të dyshuarit ishin shpallur në kërkim publik nga policia gjermane dhe fotografitë e tyre ishin publikuar. Në kërkimet për ta ishte përfshirë edhe një helikopter.

Sipas autoriteteve gjermane, ndaj dy të dyshuarve ishin lëshuar më herët urdhër-arreste nën dyshimin për vrasje të qëllimshme (Totschlag) dhe lëndim të rëndë trupor.

Pas dorëzimit të tyre, kërkimi publik është ndërprerë. Të dy janë paraqitur para gjyqtarit kompetent për paraburgim më 23 shtator, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar se si nisi përleshja, motivin dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.

Policia e Dortmundit ka bërë të ditur se të dy të dyshuarit nuk kanë dhënë deklarata gjatë paraqitjes së tyre para autoriteteve. (Presseportal⁠)

Të dy personat duhet të konsiderohen të dyshuar, pasi procedura penale është ende në zhvillim dhe përgjegjësia e tyre përfundimtare do të përcaktohet nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *