Kosova siguron 12.3 milionë euro për segmentin e fundit të rrugës Prishtinë–Mitrovicë

Kosova ka siguruar 12.3 milionë euro financim nga Fondi Saudit për Zhvillim për ndërtimin e segmentit të fundit të rrugës nacionale Prishtinë–Mitrovicë, nga Smrekonica deri në Mitrovicë. 

Bëhet fjalë për një segment prej rreth 5 kilometrash, ndërsa kostoja totale e projektit pritet të jetë rreth 16 milionë euro. Pjesën tjetër, rreth 3.7 milionë euro, do ta mbulojë buxheti i Kosovës. 

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se marrëveshja me Fondin Saudit është tashmë në fuqi dhe se pas përfundimit të procedurave pritet të nisë procesi i tenderimit për këtë segment. 

Projekti i rrugës Prishtinë–Mitrovicë ka nisur në vitin 2009 dhe në total përfshin rreth 26.7 kilometra. Sipas Bashës, deri tani janë investuar afërsisht 100 milionë euro. 

Segmenti i fundit pritet të ketë nga dy korsi në secilin drejtim, korsi emergjente dhe katër kryqëzime kryesore, duke synuar përfundimin e lidhjes rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *