Mbi 1,500 raste të kanosjes, ngacmimit dhe shantazhit janë evidentuar në Kosovë vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, bëhet fjalë për 1,221 raste kanosjeje, 272 ngacmime dhe 31 raste shantazhi.
Problemi bëhet më kompleks kur këto veprime kryhen përmes rrjeteve sociale, mesazheve apo platformave të tjera online. Aktualisht, Kodi Penal i Kosovës nuk e përcakton “dhunën digjitale” si një vepër të veçantë penale. Në varësi të rastit, mund të përdoren dispozitat ekzistuese për kanosje, ngacmim ose shantazh, por disa forma të dhunës online mbeten të vështira për t’u trajtuar.
Organizatat që merren me të drejtat e grave e përfshijnë në dhunën digjitale edhe publikimin e të dhënave private, profilet e rreme, shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim, kërcënimet dhe shantazhin seksual.
Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që rastet e krimit kibernetik t’i raportojnë sa më shpejt, duke theksuar se identiteti i raportuesit trajtohet në mënyrë konfidenciale.



Leave a Reply