Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën të enjten, më 1 tetor, në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor. Vizita është konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime të ndara me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në fokus të vizitës do të jenë hapat e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, procesi i integrimit gradual dhe Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Von der Leyen pritet gjithashtu të vizitojë projekte të financuara nga BE-ja, përfshirë objektet e reja të Fakultetit të Shkencave Matematike dhe Natyrore në Prishtinë.
Vizita në Kosovë është pjesë e turneut të saj të gjashtë vjetor në rajon, që përfshin edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk janë përfshirë në këtë turne për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto vende.



Leave a Reply