Policia e Kosovës ka sekuestruar përkohësisht rreth 1 mijë artikuj të ndryshëm në Han të Elezit, pasi dyshohej se mallrat nuk kishin dokumentacionin përkatës. Rasti u zbulua pas informatave të pranuara nga njësitet e Drejtorisë së Kufirit më 28 shtator, lidhur me një furgon me targa vendore që dyshohej se ishte i ngarkuar me mallra pa dokumente.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë identifikuan edhe një depo ku ndodheshin mallra të ndryshme. Pas koordinimit me prokurorin kujdestar, automjeti dhe mallrat u sekuestruan përkohësisht dhe u kryen procedurat për verifikimin e tyre.
Sipas të dhënave të publikuara nga Policia, në mesin e mallrave të evidentuara kishte pajisje elektronike dhe teknike, pajisje kompjuterike, tekstile, materiale të ndryshme dhe duhan të papërpunuar. Në total, gjatë numërimit janë evidentuar rreth 1 mijë artikuj.
Pas ekzaminimit të mallrave nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore. Automjeti dhe mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar njësisë kompetente të Doganës për procedura të mëtejshme.



Leave a Reply