Rick Ross arrestohet pas akuzave për dhunë ndaj të dashurës

Reperi amerikan Rick Ross, emri i vërtetë William Leonard Roberts II, është arrestuar të enjten në Miami Beach, Florida, pas një kallëzimi për një incident të dyshuar të dhunës në familje. Ai u dorëzua vetë në polici dhe u dërgua në burgun e Miami-Dade. 

Sipas raportit të policisë, një grua me të cilën Ross kishte qenë në lidhje për rreth një vit pretendoi se incidenti kishte ndodhur më 28 gusht në shtëpinë e reperit në Star Island. Ajo tha se pas një debati lidhur me një fotografi në Instagram, Ross e kishte goditur disa herë dhe, sipas pretendimit të saj, ia kishte kufizuar frymëmarrjen duke i kapur jakën e bluzës. Ajo gjithashtu u tha hetuesve se kishte pësuar lëndime dhe u dorëzoi fotografi policisë. 

Ross përballet me një akuzë për battery by strangulation, e klasifikuar si vepër penale, dhe një akuzë për battery, të klasifikuar si kundërvajtje. Në gjykatë, avokati i tij deklaroi se Ross është i pafajshëm, ndërsa vetë reperi i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si të fabrikuara. 

Gjykata caktoi një garanci prej 5 mijë dollarësh dhe urdhëroi Ross të qëndrojë larg personit që ka bërë akuzat. Seanca e ardhshme është caktuar për 22 tetor. 

Akuzat erdhën pak ditë pasi ish-e dashura e tij, Jazzma Kendrick, kishte publikuar në Instagram fotografi të një lëndimi në buzë dhe kishte pretenduar publikisht se reperi e kishte goditur. Megjithatë, raportimet theksojnë se nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nëse ajo është pikërisht gruaja që ka bërë kallëzimin në këtë rast. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *