Zjarri përfshin qendrën “Arrbi”, tym i madh mbulon objektin në Prishtinë

Një zjarr ka përfshirë sot qendrën “Arrbi” në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë, duke shkaktuar një sasi të madhe tymi që është parë duke dalë nga objekti. Bëhet fjalë për një qendër të dedikuar për lojëra dhe produkte për fëmijë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe policia, ndërsa flakët janë vënë nën kontroll për të parandaluar përhapjen e zjarrit në objektet përreth. Sipas drejtorit të “Arrbi SHPK”, Shefki Avdullahu, nuk ka persona të vdekur apo të lënduar nga zjarri.

Nga ndërhyrja është raportuar vetëm një lëndim i lehtë i një zjarrfikësi në gisht, i cili, sipas drejtorit, nuk ka ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e zjarrit.

Ndërkohë, shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Sipas drejtuesit të biznesit, shkaktarët do të përcaktohen pas ekspertizës që pritet të kryhet nga ekipet përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *