Austriakët u ankuan për barin e fushës në Prishtinë, Vedat Muriqi u kthen përgjigjen e prerë

Në prag të përballjes Kosovë–Austri në stadiumin “Fadil Vokrri”, gjendja e fushës në Prishtinë është bërë një nga temat e diskutuara para ndeshjes.

Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka kritikuar gjendjen e fushës, ndërsa edhe nga pala kosovare është pranuar se terreni nuk është në gjendjen ideale. Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka shpjeguar se gjatë verës klubet vendase kanë zhvilluar shumë ndeshje në stadium. 

Por reagimi i Vedat Muriqit ishte dukshëm më i drejtpërdrejtë.

Kapiteni i Kosovës tha se fusha është e njëjtë për të dyja skuadrat dhe kujtoi se në “Fadil Vokrri” kanë luajtur edhe ekipe të tjera pa u ankuar për terrenin.

“Fusha është e njëjtë. Kanë ardhur edhe ekipe të tjera të njohura, por nuk janë ankuar.”

Muriqi më pas shtoi me një dozë ironie:

“Po më duket si arsye për pas ndeshjes, ishalla del ashtu.”

Ai gjithashtu theksoi se kushtet e fushës nuk duhet të përdoren si arsyetim, duke sjellë si shembull edhe përvojën e tij në Mallorca, ku sipas tij skuadrat përshtaten me mënyrën e lojës dhe përdorin edhe topa të gjatë. 

Ndërkohë, Muriqi ka konfirmuar se është gati për ndeshjen ndaj Austrisë, pasi kishte pasur një shqetësim fizik dhe ngarkesë pas një periudhe dëmtimi në klub. 

Kosovë–Austri zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, me “Dardanët” që kërkojnë rezultat pozitiv para tifozëve të tyre. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *