Spanja është përfshirë nga një mot ekstrem, me reshje të dendura dhe stuhi që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Autoritetet kanë ngritur alarm të kuq në Katalonjë, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për reshje të rrëmbyeshme dhe rrezik të lartë për përmbytje të menjëhershme.
Situata është veçanërisht shqetësuese në zonat e Barcelonës dhe Gironës, ku AEMET paralajmëron se në disa pjesë mund të bien më shumë se 90 litra ujë për metër katror brenda një ore dhe deri në 200 litra në më pak se gjashtë orë.

Ndërkohë, reshjet kanë shkaktuar probleme serioze edhe në Murcia, ku në disa zona janë regjistruar rreth 120 litra për metër katror brenda pak orësh. Rrugë të tëra janë përmbytur, ndërsa autoritetet kanë aktivizuar planin e emergjencës dhe kanë pezulluar mësimin në disa komuna.
Një nga incidentet më të rënda u regjistrua në Madrigueras, Albacete, ku një përmbytje e fuqishme mori jetën e një gruaje të moshuar. Uji arriti në rreth 1.5 metra lartësi në disa pjesë të zonës dhe ekipet e emergjencës kryen mbi 90 operacione shpëtimi.
Autoritetet spanjolle kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, lumenjtë, përrenjtë dhe zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Alarmet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.



Leave a Reply