Themelohen organet e Shoqatës së Mjekëve të Vitisë, Dr. Gazmend Halili zgjidhet kryetar

Në Viti është mbajtur sot Kuvendi Themelues i Shoqatës së Mjekëve të Vitisë, duke shënuar themelimin zyrtar të një organizimi të ri profesional për komunitetin e mjekëve të kësaj komune.

Takimin e hapi Dr. Vjollca Kadolli-Halili, kryesuese e Këshillit Inicues, e cila theksoi rëndësinë e bashkimit të mjekëve dhe krijimit të një platforme të përbashkët për bashkëpunim, zhvillim profesional dhe adresimin e çështjeve me interes për komunitetin mjekësor.

Në Kuvend foli edhe Dr. Shemsedin Sadiku, i cili paraqiti rëndësinë, qëllimin dhe procesin e themelimit të shoqatës, duke vënë në pah nevojën për një organizim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mjekëve.

Themelimin e shoqatës e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili uroi mjekët dhe shprehu mbështetjen e tij për këtë organizim profesional.

Gjatë Kuvendit u miratuan Statuti dhe Rregullorja e Punës, ndërsa u zgjodhën edhe organet drejtuese. Për kryetar të Shoqatës së Mjekëve të Vitisë u zgjodh Dr. Gazmend Halili. Kryesues i Kuvendit u zgjodh Dr. Ramadan Halimi, ndërsa kryetar i Këshillit Mbikëqyrës Dr. Bashkim Hazizi.

Shoqata synon të fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet mjekëve, zhvillimin e vazhdueshëm profesional, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si dhe organizimin e aktiviteteve profesionale e shkencore. Gjithashtu, synohet promovimi i standardeve të larta të etikës dhe deontologjisë mjekësore.

Me përfundimin e Kuvendit Themelues, Shoqata e Mjekëve të Vitisë nis zyrtarisht veprimtarinë e saj, duke hapur një kapitull të ri në organizimin profesional të mjekëve të kësaj komune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *