Kuvendi i Kosovës ka rizgjedhur Vlora Spancën në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës për një mandat të ri pesëvjeçar. Vendimi u mor të hënën, më 5 tetor, me shumicë votash.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Spanca u rizgjodh pas propozimit të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe rekomandimit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Spanca ka drejtuar Zyrën Kombëtare të Auditimit gjatë pesë viteve të fundit, nga viti 2021 deri në vitin 2026. Gjatë mandatit të saj, institucioni është fokusuar në auditimin e menaxhimit të parasë publike, llogaridhënien dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit.
Rizgjedhja, megjithatë, nuk kaloi pa kundërshtime. Deputeti Burim Ramadani e kritikoi mënyrën e nominimit, duke pretenduar se procesi nuk ishte zhvilluar përmes një procedure të hapur dhe konkurruese, siç kërkohet sipas ligjit. Ai paralajmëroi edhe mundësinë e një kallëzimi penal.
Nga ana tjetër, ministrja Albulena Haxhiu deklaroi se propozimi nuk do të tërhiqej dhe se vendimi përfundimtar i takonte Kuvendit.
Me mandatin e ri, Spanca pritet të vazhdojë drejtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në një periudhë ku transparenca dhe mbikëqyrja e shpenzimit të parasë publike mbeten ndër çështjet më të diskutuara në Kosovë.



Leave a Reply