Vera Rexhepi Leci merr drejtimin e Konsullatës së Kosovës në Iowa

Konsullata e Republikës së Kosovës në Iowa ka mirëpritur konsullen dhe drejtuesen e re, znj. Vera Rexhepi Leci, e cila do të udhëheqë përfaqësinë konsullore gjatë katër viteve të ardhshme.

Së bashku me Zëvendëskonsullin, z. Besart Kastrati, ajo do të angazhohet në përfaqësimin dhe shërbimin ndaj Republikës së Kosovës, me fokus të veçantë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s.

Sipas njoftimit të Konsullatës, një nga prioritetet kryesore gjatë mandatit të ardhshëm do të jetë avancimi i bashkëpunimit Kosovë–Iowa në fusha të ndryshme, përfshirë bashkëpunimin institucional, ekonomik, arsimor dhe kulturor.

Konsullata synon gjithashtu të vazhdojë të luajë rol në afrimin e qytetarëve dhe komuniteteve të të dyja vendeve, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim dhe shkëmbim.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe diasporës kosovare në Iowa dhe në shtetet e tjera që përfshihen në juridiksionin konsullor. Konsullata pritet të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe të ofrojë mbështetje për nevojat e tyre konsullore.

Me drejtimin e ri, Konsullata synon që gjatë mandatit katërvjeçar të thellojë më tej partneritetin dhe miqësinë ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s, duke e shndërruar këtë bashkëpunim në iniciativa dhe mundësi të reja për institucionet, komunitetet dhe qytetarët e të dyja vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *