OVL-UÇK kundërshton kritikat për Specialen: Ndryshimet nuk cenojnë detyrimet e Kosovës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj kritikave të fundit lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK i ka cilësuar si të nxituara dhe të pabazuara pretendimet se amendamentet e miratuara bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas organizatës, asnjë institucion nuk duhet të jetë jashtë rendit kushtetues, mbikëqyrjes demokratike dhe mekanizmave të llogaridhënies. OVL-UÇK argumenton se ndryshimet synojnë pikërisht rregullimin e kësaj çështjeje brenda kuadrit institucional të Kosovës. 

Veteranët kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi me mënyrën se si, sipas tyre, është trajtuar çështja e Dhomave të Specializuara ndër vite. Ata vlerësojnë se mandati dhe praktika e Speciales janë larguar nga qëllimi fillestar për të cilin ishte krijuar.

OVL-UÇK ka kërkuar që institucionet e Kosovës të mbrojnë sovranitetin, barazinë para ligjit dhe të drejtat e qytetarëve, duke kundërshtuar ndërhyrjet që, sipas saj, mund të pengojnë vendimmarrjen e Kuvendit. 

Çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara ka shkaktuar debat të madh politik dhe institucional në Kosovë, ndërsa më herët OVL-UÇK kishte kërkuar që procedura për këto ndryshime të mos zvarritej. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *